Secondary Adv

Raporti i Financave: Industria në krizë tkurr të ardhurat nga tatimi mbi fitimin

Kriza në industri po reflektohet në të ardhurat buxhetore, me mbi 4 miliardë lekë më pak nga tatimi mbi fitimin se sa ishte parashikuar për vitin 2026.

Ministria e Financave, në Raportin e “Devijancave të Parashikimeve”, bën të ditur se të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë rezultuar më të ulëta se pritshmëritë e përcaktuara në Kuadrin Makroekonomik 2026-2028. Sipas raportit, devijimi negativ arrin në 4 miliardë lekë, ose rreth 0.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Pjesa më e madhe e këtij nënrealizimi lidhet me performancën e dobët të industrisë, veçanërisht të sektorit të prodhimit, i cili ka kontribuar me rreth 3 miliardë lekë më pak në buxhet krahasuar me parashikimet fillestare.

 

Energjia dhe fasonët në qendër të tkurrjes

Sipas analizës së Ministrisë së Financave, rënia e të ardhurave lidhet me uljen e fitimeve në disa prej degëve kryesore të industrisë. Sektori i energjisë elektrike, rrjetet e transmetimit dhe industria fason kanë shfaqur dobësi të theksuar, duke krijuar një efekt zinxhir në të gjithë aktivitetin prodhues.

 

Raporti evidenton se ngadalësimi nuk është i kufizuar vetëm në disa aktivitete specifike, por është shtrirë në 28 nënsektorë industrialë, duke treguar një dobësim të gjerë të industrisë shqiptare gjatë kësaj periudhe.

 

Euro e dobët dhe kostot në rritje godasin eksportuesit

Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar negativisht në rezultatet financiare të industrisë është forcimi i lekut kundrejt euros. Nënçmimi i euros ka ulur të ardhurat e kompanive eksportuese kur ato konvertohen në monedhën vendase, duke ngushtuar ndjeshëm marzhet e fitimit.

 

Në të njëjtën kohë, bizneset prodhuese janë përballur me rritje të kostove të brendshme, kryesisht për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjes së pagave minimale e mesatare. Kjo ka shtuar presionin mbi kompanitë, të cilat janë detyruar të përballojnë shpenzime më të larta operacionale.

 

Kërkesa më e dobët dhe kostot e larta të prodhimit

Raporti evidenton gjithashtu se rënia e kërkesës në tregjet ndërkombëtare për disa produkte bazë dhe normalizimi i çmimeve të energjisë pas viteve të krizës kanë ulur fitimet e jashtëzakonshme që disa kompani realizuan në periudhat e mëparshme.

 

Megjithëse inflacioni është zbutur, kostot e lëndëve të para, makinerive dhe transportit mbeten dukshëm më të larta krahasuar me periudhën para krizave globale. Shumë ndërmarrje nuk kanë mundur t’i transferojnë këto kosto te konsumatori final, duke i absorbuar vetë dhe duke reduktuar fitimet e tyre.

 

Shërbimet dhe ndërtimi nuk kompensojnë rënien e industrisë

Ministria e Financave vëren se sektorët e shërbimeve, tregtisë dhe ndërtimit kanë vijuar të shfaqin performancë pozitive gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, rritja e tyre nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar humbjet dhe dobësinë e regjistruar në industri.

 

Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat fiskale të shtetit, duke e bërë industrinë një nga faktorët kryesorë që kanë penguar realizimin e plotë të parashikimeve buxhetore për vitin 2026.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat